Protesta e studentëve në ditën e saj të 13-të ka përfunduar pas rreth gjashtë orë me një itinerar nga Ministria e Arsimit, te Kryeministria dhe sheshin “Skënderbej”.
Gjatë qëndrimit në shesh disa protestues me maska kanë ndezur zjarr, ndërkohë që i kanë vënë flakën edhe një peme në lulishten pranë sheshit. Ata kanë vendosur edhe gozhda për të çarë gomat e makinave të Policisë që mund të hynin në shesh. Protestuesit kanë qëlluar edhe me molotov forcat e policisë pranë sheshit “Skënderbej”.
Gjatë qëndrimit në bulevard, pjesëmarrës në protest sulmuan dhe thyen xhamat e Kryesisë së Kuvendit si dhe dëmtuan disa biznese në katin e parë të “Kullave Binjake”, përfshirë edhe një bankë të nivelit të dytë. Gjithashtu, protestuesit e maskuar thyen me hekur ndriçuesit te Kryeministria, hodhën gurë e kapsolla drejt godinës së qeverisë si dhe ndaj efektivëve.



