Policia e Shqipërisë njoftoi sot se deri në këto momente janë shoqëruar 18 shtetas, ndërsa 9 punonjës policie kanë mbetur të dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore, pas protestës së zhvilluar para Kuvendit e cila u shoqërua me përplasje të forta dhe akte dhune.
Protesta ka përshkallëzuar në tensione mes protestuesve dhe forcave të rendit, me incidente të shumta gjatë gjithë ditës, përfshirë bllokimin dhe rrethimin e hyrjeve të Kuvendit, duke mos lejuar daljen e deputetëve dhe ministrave pas seancës plenare.
Gjatë përplasjes janë hedhur vezë, shishe plastike dhe gurë në drejtim të automjeteve të zyrtarëve dhe forcave të policisë. Incidentet kanë nisur që në orët e para të mëngjesit, kur deputetët po mbërrinin në Kuvend, ndërsa një pjesë e protestuesve ka tentuar të thyejë perimetrin e sigurisë.
Një grup protestuesish ka arritur të kalojë kordonin e sigurisë pranë zonës së Akademisë së Shkencave, nga ku janë kryer sulme ndaj deputetëve, duke detyruar ndërhyrjen e policisë dhe shoqërimin e disa personave.
Po ashtu, automjeti i kryetarit të Kuvendit është goditur me miell dhe vezë, ndërsa protesta është shoqëruar me thirrje kundër përfaqësuesve të mazhorancës.
