Banorët e Dragashit, në jug të Kosovës, protestuan këtë javë pasi për gati dhjetë ditë u përballën me furnizim jo të rregullt me ujë të pijshëm.
Reduktimet e ujit gjatë verës janë problem i përsëritur në disa zona të Kosovës.
Eksperti i ujërave, Skender Bublaku, thotë se Kosova ka resurse të mjaftueshme për të siguruar furnizim të qëndrueshëm, por se ato nuk po menaxhohen siç duhet.
Në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë, Bublaku sqaron se problemet me mungesën e ujit lidhen me humbjet e mëdha, dhe me nivelin e ulët të akumulimit të ujit.
Sipas tij, vetëm rreth 15 për qind e ujërave sipërfaqësore shfrytëzohen, dhe rreth 15 për qind janë të akumuluara.
“Shkalla e humbjeve të ujit është mbi 55 për qind. Gjatë vjeshtës, dimrit, pranverës, pjesa më e madhe e ujërave rrjedhin, ecin nga territori i Kosovës dhe nuk rezervohen”, thotë ai.
Pse vera e përkeqëson situatën?
Bublaku thotë se problemet janë më të theksuara në komunat që varen nga burimet ujore pa akumulime.
“Gjatë sezonit të verës – korrik, gusht, shtator – këto resurse ujore, që janë direkt pa akumulime, nuk garantojnë sasinë minimale të ujit që është e nevojshme”, shpjegon ai.
Bublaku përmend Ferizajn – i cili e merr ujin drejtpërdrejt nga lumi – Pejën, si dhe Kamenicën, dhe zona të tjera, që varen nga ujërat nëntokësore ose rrjedhat lumore.
Ndërprerjet e ujit shpesh shoqërohen me arsyetime për prishje teknike, turbullira në burime ose probleme me cilësinë e ujit.
