Profesori amerikan, Daniel Serwer, ka thënë për televizionin N1 se nisja e dialogut strategjik mes SHBA-së dhe Serbisë është “një hap i madh”, por thotë se “nuk mund të parashikojë se çfarë do të dalë prej tij” dhe se “shumëçka do të varet nga rrethanat”.
Megjithatë, sipas tij, dialogu strategjik përbën “një arritje të madhe parazgjedhore” për presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
“Mendoj se është mjaft befasuese të organizohet diçka e tillë vetëm pak muaj para zgjedhjeve. Kjo tregon qartë gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për t’i ofruar mbështetje Vuçiqit, i cili, meqë ra fjala, është ankuar me hidhërim se amerikanët po përpiqen të mbështesin një revolucion me ngjyra kundër tij”, tha Serwer.
Ai vlerësoi gjithashtu se “amerikanët do të përpiqen shumë ta orientojnë Serbinë drejt një perspektive më pro-perëndimore.” dhe sipas tij amerikanët janë në gjendje t’i tejkalojnë disa veprime të Beogradit për synimin në fjalë.
“Dhe duket se janë të gatshëm të anashkalojnë çështje si represioni në rritje dhe sjellja autokratike e Vuçiqit, sjelljen e Beogradit në planifikimin dhe zbatimin e sulmit në Banjskë, në veri të Kosovës, si dhe sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës dhe rrëmbimin e tre policëve shqiptarë në veri të Kosovës”, ka thënë Serwer.
