Në ceremoninë e tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike të certifikuara në fletëvotimet e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se procesi për zgjedhjet lokale ka hyrë pothuajse në fazën përfundimtare. Ai tha se zgjedhjet janë themeli i demokracisë.
“Kjo ngjarje ka simbolikën e vetë pasi thuajse kemi hyrë në fazën përfundimtare të procesit zgjedhor të cilën kemi filluar ta përgatisim që nga muaji qershor. Zgjedhjet janë themeli i një demokracie pasi përmes tyre qytetarët shprehin vullnetin politik duke zgjedhur përfaqësuesit në nivel in qendror dhe lokal. Në këtë drejtim, KQZ ka detyrë të rëndësisë së veçantë, të sigurojë proceset zgjedhore në Kosovë të jenë të lira, të drejta, transparente, të mbështetura në Kushtetutë, Ligjin për Zgjedhjet dhe të mbështetura në standardet më të mira ndërkombëtare”, tha ai para të pranishmëve në këtë ngjarje.
Ai tha se që nga mesi i muajit qershor KQZ-ja është angazhuar intensivisht për organizimin e këtyre zgjedhjeve dhe se aktivitetet po realizohen sipas planit.
“Sot ndodhemi në një fazë të rëndësishme të procesit zgjedhor, sepse pas tërheqjes së shortit, KQZ do të miratojë dizajnin për përmbajtjen e fletëvotimeve për të mundësuar nga 17 shtatori fillimin e votimit me postë për mbi 46 mijë votues jashtë Kosovës. Gjithashtu aktiviteti i sotëm i hapë rrugë subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre që nga 13 shtatori të fillojnë zyrtarisht fushatën zgjedhore”, shtoi tutje ai.
