Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka reaguar pas vrasjes së gruas Arlinda Zekajt në Pejë, duke e cilësuar ngjarjen si një tragjedi të rëndë njerëzore dhe alarm serioz për mënyrën se si institucionet e trajtojnë sigurinë dhe dinjitetin e grave.
Në reagimin e tij, Rama ka theksuar se fakti që viktima kishte kërkuar mbrojtje dhe kishte paralajmëruar për rrezikun që i kanosej, e bën rastin edhe më tronditës.
Ai ka kërkuar hetim të plotë të krimit, si dhe shqyrtim të çdo veprimi apo mosveprimi institucional që i ka paraprirë ngjarjes.
Rama ka shprehur shqetësimin e tij edhe në aspektin personal, duke theksuar se, si baba që ka vendosur ta sjellë vajzën e tij për të jetuar dhe ndërtuar të ardhmen në Kosovë, e përjeton me shqetësim të thellë një ngjarje të tillë.




