Pak ditë më parë, Komisioni Evropian ka miratuar Pakon vjetore të Zgjerimit, duke paraqitur një vlerësim gjithëpërfshirës të progresit të bërë nga vendet partnere të zgjerimit gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit. Në këtë raport bën pjesë edhe Kosova.
Në raport theksohen edhe çështje si dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Aty theksohet se të dy shtet pritet që të zbatojnë të gjitha detyrimet përkatëse që rrjedhin Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i saj i Zbatimit, duke përfshirë këtu edhe ‘themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe’.
‘’Kosova pritet të nisë procesin që çon në themelimin e Asociacionit, ndërsa Serbia pritet të fillojë përmbushjen e detyrimeve të saj paralelisht, përmes njohjes së dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës. Marrëveshja është e vlefshme dhe ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët, dhe çdo formalitet, përfshirë edhe çështjet që lidhen me miratimin apo “formalizimin” e saj, nuk duhet të pengojë përparimin në zbatim. Vlerësimi i konstruktivitetit të palëve do të bëhet vetëm në bazë të performancës së tyre në zbatim’’ , theksohet në raport .
Tutje, po ashtu deklarohet se normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i angazhimeve nga Dialogu mbeten kushte thelbësore në rrugën evropiane të të dyja palëve, ‘’të cilat rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit’’.
‘’Gjatë periudhës raportuese, situata në veri të Kosovës ka mbetur e qetë, por e brishtë. Në nëntor 2024 ndodhi një sulm ndaj kanalit Ibër–Lepenc në veri të Kosovës, autorët e të cilit ende nuk janë kapur dhe vënë para drejtësisë. Në verë të vitit 2025, një sërë arrestimesh të kryera si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia – përfshirë arrestimin dhe lirimin e mëvonshëm të zëvendësdrejtorit të Zyrës Serbe për Kosovën, Igor Popović – ndikuan përkohësisht negativisht në procesin e normalizimit’’, shtohet nga raporti.
Më tej, nga BE theksohet se Kosova ka ndërmarrë veprime të përsëritura që bien ndesh me detyrimet e saj nga Dialogu, përfshirë këtu edhe operacionet policore kundër strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia në veri. Aty përmenden edhe ndërtimi i dy urave të reja në Mitrovicë, veprime të cilat, siç ceket në raport, ‘’nuk janë në përputhje me frymën e normalizimit.
‘‘Në këtë kontekst, Serbia pritet të respektojë Marrëveshjen e Drejtësisë të vitit 2015, e cila përcakton që procedurat penale për vepra të kryera në Kosovë duhet të zhvillohen, parimisht, para gjykatave të Kosovës – veçanërisht në rastin e arrestimit të Arbnor Spahiut. Nga ana tjetër, Kosova ka ndërmarrë veprime të përsëritura që bien ndesh me detyrimet e saj nga Dialogu, përfshirë operacionet policore kundër strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia në veri. Po ashtu, autoritetet kosovare kanë arrestuar dhe menjëherë deportuar qytetarë të Kosovës që punonin për strukturat e sigurisë serbe, si dhe kanë ndërtuar dy ura të reja në Mitrovicë, pranë urës kryesore. Këto veprime nuk janë në përputhje me frymën e normalizimit’’, thuhet në raport.
Po ashtu, theksohet se BE ka shprehur shqetësim për mungesën e përsëritur të koordinimit nga ana e Kosovës dhe ndikimin negativ në komunitetet lokale dhe qasjen e tyre në shërbime bazike publike e sociale, dhe se, edhe Serbia, nga ana e saj, ka ndërmarrë veprime në kundërshtim me detyrimet e saj nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit, duke lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
‘’Procesi i normalizimit vazhdon të ndikohet negativisht edhe nga mungesa e veprimeve të mjaftueshme të Serbisë për të siguruar përgjegjësi për sulmin e dhunshëm të armatosur nga serbët e Kosovës ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023 në Banjskë, që përbën përshkallëzimin më serioz të viteve të fundit’’, thuhet në raport.
Pjesë e raportit të Komisionit Evropian:
Sa i përket gjendjes së zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të Dialogut:
Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022 dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës në prill 2023 përbëjnë shkelje të detyrimeve të Serbisë në kuadër të Dialogut dhe përfaqësojnë një regres serioz në përmbushjen e marrëveshjeve, veçanërisht të Marrëveshjes së Parë të parimeve për normalizimin e marrëdhënieve (prill 2013) dhe Marrëveshjes për Drejtësi (2015). Në momentin e raportimit, as Kosova dhe as Serbia nuk po e zbatojnë plotësisht as Marrëveshjen e Parë të vitit 2013 dhe as atë të Drejtësisë të vitit 2015.
BE-ja mirëpriti pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt 2025 dhe në zgjedhjet lokale më 12 tetor 2025, si një hap të parë drejt kthimit të tyre në institucionet e Kosovës. BE-ja rikujton se rikthimi i zyrtarëve serbë të Kosovës në institucionet e Kosovës, përfshirë sistemin gjyqësor dhe organet e rendit, duhet të bëhet në përputhje me marrëveshjet e mëparshme të Dialogut dhe duke respektuar plotësisht kornizën ligjore të Kosovës.
Nuk ka pasur përparim të mëtejshëm në zbatimin e Marrëveshjes së gushtit 2015, e cila përcaktonte parimet për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe (A/BKShS). Kosova dhe Serbia inkurajohen të angazhohen në mënyrë konstruktive për themelimin e A/BKShS-së, bazuar në Draft-Statutin Evropian të paraqitur palëve në tetor 2023, pa vonesa të tjera. Kjo është pjesë e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, për të cilën palët pritet të tregojnë përparim, siç u theksua nga Këshilli Evropian në tetor 2023. Statusi i strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohet në përputhje me marrëveshjet e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe ligjet e Kosovës, jo përmes veprimeve të pa-koordinuara.
