Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do të mbajnë sot konferencë të përbashkët për media, lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Konferenca është paralajmëruar të mbahet në orën 09:00, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, pas dorëzimit të raporteve nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme në Zyrën e Kryeministrit.
Një ditë më parë, Zyra e Kryeministrit Albin Kurti ka njoftuar se ka pranuar raportet e detajuara nga dy ministritë, të cilat do të shqyrtohen për të identifikuar rrjedhën e rastit, lëshimet e mundshme institucionale, neglizhencën dhe mosreagimin eventual të institucioneve përgjegjëse.
Sipas njoftimit të ZKM-së, shqyrtimi do të përfshijë edhe përgjegjësinë institucionale dhe trajtimin e rastit në të gjitha fazat e tij.



