Komisioni Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt pritet të intervistojë sot pesë dëshmitarë, përfshirë kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Mbledhja e Komisionit do të nisë në orën 08:30, ndërsa intervistimi i dëshmitarëve është paraparë të fillojë në orën 09:30.
Para Komisionit pritet të paraqiten Toska Gega, menaxhere e rastit në Qendrën për Punë Sociale (QPS) në Pejë; Durim Kelmendi, udhëheqës në QPS; Shpat Morina, zyrtar i kësaj qendre; Shpresa Lukaj, drejtuese e QPS-së në Pejë; si dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Intervistimi i tyre zhvillohet në kuadër të hetimit parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.
Dëshmitë pritet të zhvillohen vetëm pak ditë pasi një inspektim në QPS-në e Pejës konstatoi shkelje të shumta në trajtimin e rastit të së ndjerës.
Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare njoftoi tri ditë më parë se inspektimi kishte evidentuar mosrespektim të afatit gjyqësor, neglizhencë në përmbushjen e detyrave, mosveprim sipas detyrës zyrtare dhe mungesë të mbikëqyrjes profesionale.

