Reagimeve të deputetëve lidhur me pasaktësitë e evidentuara në ekspozitën për masakrat në Kosovë, me autor ojq-në Admovere të udhëhequr nga Shkëlzen Gashi, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu i konsideron “instrumentalizim”.
“Kur më 6 mars, nën patronatin e Kryetares së Kuvendit, u hap ekspozita “Tri ditë që ndryshuan historinë” për Prekazin në shënim të Epopesë së UÇK-së, deputetët e opozitës nuk iu përgjigjën fare ftesës për të marrë pjesë dhe as nuk erdhën në aktivitet. Sot, të njëjtët dalin dhe kërkojnë “llogaridhënie” e vëmendje institucionale. Janë po këta që për 20 vjet në pushtet nuk kanë bërë asnjë hap elementar për dokumentimin e plotë të krimeve dhe masakrave në Kosovë, të njëjtit që kundërshtuan themelimin e Institutit për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë”, shkroi ajo në një reagim në Facebook.
Kryeziu tha se qëllimi është “goditja e qeverisë dhe e kryeministrit Albin Kurti”.
“Për vite me radhë kanë folur me shifra të paqarta, pa standard, pa përgjegjësi. Dhe sot, në vend të reflektimit, zgjedhin zhurmën dhe sulmin. Kjo tregon qartë se qëllimi nuk është drejtësia, kujtesa institucionale apo kujdesi ndaj viktimave dhe familjarëve, por goditja e qeverisë dhe e kryeministrit Albin Kurti”.
“Ky është oportunizmi i tyre, instrumentalizimi i çdo gjëje, madje edhe i dhimbjes tonë më të madhe sa për të dhënë një goditje ndaj kundërshtarëve politikë”, shkroi ajo.
