Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje edhe në lagjen “Meshari” ku jetojnë minoritetet në komunën e Fushë Kosovës. Uji ka përmbytur rrugët dhe disa shtëpi, duke hyrë deri në bodrume. Banorët thonë se furnizimi me ujë të pijshëm është plotësisht i ndërprerë, ndërsa problemet me energjinë elektrike janë të vazhdueshme, duke e bërë situatën edhe më të vështirë për familjet që jetojnë në ketë lagje.
Banori i lagjes “Meshari” në Fushë Kosovë, Florim Rexhepi, thotë se përmbytja ka shkaktuar dëme në shtëpinë e tij, por sipas tij situata po stabilizohet ngadalë.
“Përmbytja ka filluar që dy apo tre ditë, nuk ka qenë kështu, po mbrëmë niveli i ujit ka qenë shumë më i lartë se sot, pak ka filluar me u stabilizua gjendja. Jemi të dëmtuar… ka ndërprerje të ujit të pijshëm. Këtu jemi tri familje në këtë shtëpi, prindërit i kam poshtë, nënën e kam të paralizume, babën e kam me katedër, më ka dashur me i ngjit lart… Kjo punë është prej anës së Zotit, nuk është prej njerëzve”, theksoi Rexhepi për KP.
Banori tjetër, Isuf Rexhepi tha se kanalizimet nuk funksionojnë siç duhet, dhe ujësjellësi mungon, gjë që sipas tij po e bën që furnizimi të jetë i pamjaftueshëm.
“Çka ardhtë prej Zotit mirëserdhët. Kanalizimet nuk janë të rregulluara qysh duhet, prej kanalizimit është duke ardhur uji, as ujësjellës nuk kemi, prej bunarit furnizohemi me ujë, por bunari është stërmbushur nga vërshimet… Ka 4 apo 5 shtëpi ku është rrit uji pak më tepër mbrëmë edhe ju ka hy uji edhe brenda, po kanë ardhur prej komunës na kanë vizituar na kanë sjellë ujë të pijshëm po s’kanë çfarë të bëjnë edhe ata, çfarë vjen prej Zotit mirëserdhët”, theksoi Rexhepi.
