Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ngritur alarmin se Kosova rrezikon ta humbasë organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, duke drejtuar akuza ndaj Qeverisë së Albin Kurtit.
Përmes një reagimi, Rama ka kërkuar nga kryeministri Kurti dhe Qeveria që t’u përmbahen marrëveshjeve dhe vendimeve të miratuara për organizimin e kësaj ngjarjeje sportive.
“Edhe një herë i bëj thirrje publike Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Kosovës që t’u përmbahen plotësisht marrëveshjeve dhe vendimeve të miratuara, për të mos rrezikuar organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, shqetësimet nuk janë vetëm të nivelit lokal. Ai ka bërë të ditur se edhe ICMG-ja ka paralajmëruar për rrezikun që paraqet qasja e Qeverisë së Kosovës.
“NË LETRËN E DATËS 15 TETOR, ICMG-JA KA PARALAJMËRUAR QARTË SE QASJA E QEVERISË SË KOSOVËS PO RREZIKON MBAJTJEN E LOJËRAVE MESDHETARE PRISHTINA 2030”, ka deklaruar ai.
Rama ka treguar se këtë shqetësim e ka ngritur edhe në takimin e javës së kaluar të Komitetit Organizativ.
Sipas tij, përgatitjet dhe organizimi i Lojërave duhet të zhvillohen në koordinim të plotë me ICMG-në, duke shfrytëzuar përvojën dhe ekspertizën e saj.




