Situata në Kosovë mbetet e bllokuar, ndërsa heqja e mandateve të deputetëve – një opsion i përmendur në rast të moskonstituimit të Kuvendit deri më 26 korrik – nuk konsiderohet e realizueshme. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse ky afat shkelet, vendi do të përballet me një krizë politike dhe juridike të panjohur më parë.
Askush nuk ka përgjigje të qartë se çfarë do të ndodhë në Kosovë pas 26 korrikut – datë kur skadon afati prej 30 ditësh që Gjykata Kushtetuese u ka dhënë deputetëve të zgjedhur për të konstituuar Kuvendin.
Deri tani, përpjekjet për formimin e këtij institucioni ligjvënës kanë dështuar 44 herë.
Partitë politike vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për ngërçin dhe të mos lëvizin nga qëndrimet e tyre.
Në këtë atmosferë bllokade, ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gjyljeta Mushkolaj, thotë se barra e përgjegjësisë duhet të kalojë tani mbi presidenten e vendit, Vjosa Osmani, e cila e ka detyrë kushtetuese të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve.
Sipas saj, e para e shtetit duhet t’i intensifikojë përpjekjet për arritjen e një konsensusi mes partive politike, dhe nëse kjo dështon, të kërkojë interpretim shtesë nga Gjykata Kushtetuese, për të qartësuar hapat e ardhshëm.
“Gjykata Kushtetuese duhet të jetë më e prerë rreth afatit që e ka përcaktuar dhe pasojave që vijnë pas këtij afati. Roli i Gjykatës Kushtetuese nuk ka përfunduar ende”, thotë Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.
Javën e kaluar, presidentja Osmani priti për dy ditë me radhë përfaqësuesit e partive politike, në përpjekje për të zhbllokuar situatën.
Pas takimeve, ajo u shpreh qartë se konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, është “detyrim e jo opsion” dhe u bëri thirrje partive që sa më shpejt të gjejnë zgjidhje.
Këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, thotë për Radion Evropa e Lirë se presidentja është duke i shqyrtuar mundësitë ligjore për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për sqarim të aktgjykimit, “në mënyrë që të qartësohen pasojat juridike, në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga ajo”.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) thonë se konsensusi është e vetmja rrugë për të tejkaluar bllokadën dhe për të konstituuar Kuvendin deri më 26 korrik.
Nëse kjo nuk ndodh, Kosova do të përballet me një situatë të panjohur deri më tash, thotë Naim Jakaj nga ky institut.
“Kosova do të hyjë në një situatë të re juridike dhe politike, që nuk e ka përjetuar më herët. Pasojat e saj do t’i ndiejmë në muajt e ardhshëm, në rast se Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik”, thotë Jakaj për Radion Evropa e Lirë.
A mund t’iu merret mandati deputetëve? As Lëvizja Vetëvendosje, që doli e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, nuk ka një përgjigje të qartë për zhvillimet që mund të pasojnë nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik.
Më 9 korrik, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve për këtë çështje, deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha shkurt: “E paparashikuar”.
Dy ditë më parë, ajo përmendi mundësinë që të gjithë deputetët e Kuvendit të humbin mandatin, nëse nuk e konstituojnë institucionin brenda afatit 30-ditor, të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
“…janë 120 deputetë të legjislaturës së 9-të, që mund t’iu merret mandati, dhe të vazhdohet pastaj me deputetët që janë në listat e të gjitha partive politike”, tha Kusari-Lila.
Por, Mushkolaj shpjegon se mandatin e deputetëve të zgjedhur në mënyrë demokratike nuk mund ta marrë askush.
“Populli ua ka dhënë këtë mandat dhe populli ua merr mandatin. Vetëm nëse shkojmë në zgjedhje. Por, përsëri, duhet të konstituohet Kuvendi”, thotë profesoresha në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Jakaj, gjithashtu, nuk e sheh të mundshme heqjen e mandatit të deputetëve.