Anëtari i kryesisë së LDK-së, ish deputeti Alban Zogaj, e ka quajtur shqetësuese përqindjen e inflacionit, ku rritja e çmimeve po vazhdon.
Ai për Expose të Gazeta Blic , thotë se qeveria po qëndron spektatore në gjithë këtë krizë.
“Ka rritje shumë të lartë të çmimeve vetëm në dy muajt e fundit ku kemi inflacion 6.5 për qind krahasuar me vitin e kaluar, që është një normë e lartë e inflacionit edhe në fakt është normë shqetësuese. Por ajo që është më e rëndësishme është që e kemi një qeveri spektatore ndaj një krize të thellë ekonomike në të cilën po hyn vendi sepse ka mungesë të shpenzimeve kapitale, në anën tjetër çmimet po rriten e pagat po mbesin të njëjta. Andaj qeveria duhet të reagojë në këto raste e nuk po reagon, është komplet spektatore ndaj kësaj situate”, ka theksuar ai.
Sa i përket rritjes së çmimit të naftës, Zogaj vlerëson se ajo u reflektua edhe në Kosovë dhe se shumë shtete kanë ndërmarrë masa si ulja e TVSH-së e akicës për naftën, por jo edhe Kosova
“Normalisht se çdo ngritje e çmimit të naftës në botë reflektohet menjëherë edhe te ne sepse ne e importojmë naftën nga vendet e tjera të botës, andaj kjo u reflektua edhe në çmimet e naftës në Kosovë, arritën çmime rekord pothuajse 2 euro për litër. Të gjitha vendet të Evropës por edhe disa vende të mëdha demokratike botërore janë duke marrë masa për ta ulur çmimin e naftës, e këto masa janë kryesisht ulja e TVSH-së për naftën, ulja e akcizës së naftës, në mënyrë që t’i ndihmojë edhe qytetarët e vendit por edhe prodhuesit, firmat. Në rastin tonë, ne si LDK propozuam po të njëjtat masa në Kuvend dhe ajo rezolutë ose ato masa u kundërshtuan nga shumica politike në vend dhe ne jemi akoma në këto çmime që po i shohim çdo ditë. Pra edhe në rastin e çmimeve të naftës, prapë qeveria spektatore dhe në fakt refuzon t’i marrë masat që i takojnë t’i marrë”, ka potencuar ai.
