Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutiérrez, ka reaguar ashpër ndaj sulmeve të anëtarit të Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, i cili ka ofenduar mediat dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke i quajtur “aleancë e grupeve kriminale”.
Në një mesazh të publikuar në rrjete sociale, Gutiérrez i ka kërkuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të ndërhyjë menjëherë dhe t’i japë fund asaj që ai e quan “fushatë shpifëse” e iniciuar nga një pjesëtar i partisë së tij.
Ai ka theksuar se krahasimi i AGK-së – organizatë e respektuar e gazetarëve në Evropë – me një grup kriminal është “i turpshëm dhe i padenjë”. Sipas tij, AGK po kryen misionin e saj legjitim: mbrojtjen e gazetarëve dhe gazetarisë.
“Z. Kurti, duke toleruar shpërthime të tilla, ju po i dëmtoni gazetarët, besueshmërinë e tyre dhe vetë vendin tuaj,” ka shkruar Gutiérrez. Postimi i tij i plotë:
Kryeministër në detyrë Kurti, Ju bëj thirrje që menjëherë t’i jepni fund fushatës shpifëse që po zhvillohet nga një anëtar i partisë suaj kundër gazetarëve.
Sami Kurteshi e ka përshkruar organizatën tonë partnere, Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), si një “aleancë e grupeve kriminale”.
