Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chuck Grassley dhe Keith Self u kanë bërë thirrje autoriteteve në Republikën Sërpska - entitetin serb të Bosnje dhe Hercegovinës - dhe në Serbi që të distancohen nga varrimi i Ratko Mlladiqit, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë dhe krimet gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Në një deklaratë të përbashkët, senatorët rikujtuan përgjegjësinë e Mlladiqit për gjenocidin dhe krimet e tjera në Bosnje dhe Hercegovinë, duke theksuar se ato përbëjnë disa prej krimeve më çnjerëzore të kryera në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Ratko Mlladiq ishte kriminel lufte dhe arkitekt i gjenocidit në Srebrenicë, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë. Forcat e tij ishin përgjegjëse edhe për rrethimin gati katërvjeçar të Sarajevës - një prej rrethimeve më të gjata në historinë moderne. Veprat e tij, të marra së bashku, përbëjnë disa prej krimeve më çnjerëzore të kryera në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Në të shtohet se është “thellësisht shqetësuese që Serbia ka paralajmëruar se Mlladiq do të varroset me nderime shtetërore dhe ushtarake”, si dhe që ish-lideri i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, e ka quajtur atë “luftëtar për lirinë serbe”.
“Është përdhosje e kujtimit të viktimave të tij dhe e rajonit që ende jeton me pasojat e fushatës së tij të spastrimit etnik, nëse një qeveri shënon ose madhëron vdekjen e tij. Ditët e ardhshme do të jenë një test nëse Serbia dhe Republika Sërpska janë të gatshme të shkëputen nga e kaluara dhe të ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe integrimeve euroatlantike, apo do të lejojnë që ajo e kaluar të bëhet sërish pengesë për një të ardhme më të mirë të qytetarëve të tyre”, thuhet në deklaratë.
Senatorët amerikanë i bënë thirrje Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës Sërpska që të përmbahen nga çfarëdo pjesëmarrjeje apo lidhjeje me ceremonitë e planifikuara dhe të sigurojnë që “asnjë deklaratë publike apo veprim zyrtar të mos e paraqesë Mlladiqin si diçka tjetër përveç asaj që ishte: arkitekt i dënuar i gjenocidit”.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, anuloi ndërkohë vizitën e planifikuar në Serbi, duke thënë se madhërimi i një personi të dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë, është “i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat bazohet rruga drejt Bashkimit Evropian”.
Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq, i dënuar nga Tribunali i Hagës për gjenocid dhe krime të tjera të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, do të varroset sot në Beograd, me nderime të paralajmëruara ushtarake dhe shtetërore.
Arkivoli i Mlladiqit, i cili vdiq më 27 gusht në Hagë, derisa vuante dënimin me burgim të përjetshëm, u ekspozua në Kishën e Shën Lukës.
Mediat serbe raportuan më herët se ceremoninë mortore do ta udhëheqë kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.
Mijëra njerëz janë duke pritur në radhë para kishës për t’i bërë nderime, ndërsa disa prej tyre mbajnë bluza me portretin e kriminelit të dënuar të luftës dhe simbole të formacioneve ushtarake të kohës së luftës.
Pranë arkivolit janë duke bërë rojë me radhë veteranë të ish-Ushtrisë së Republikës Sërpska, ndërsa në kishë ndodhen edhe familjarë të Mlladiqit dhe ish-bashkëpunëtorë të tij të afërt.
Në mesin e zyrtarëve që i bënë homazhe në kishën në Beograd, ishin edhe ministri i Punës dhe Mbrojtjes së Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës i Republikës Sërpska, Radan Ostojiq, dhe anëtari i Senatit të Republikës Sërpska, Aleksandar Vulin, i sanksionuar nga Uashingtoni për lidhjet e tij me Rusinë.

