Lista Srpska, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që mbështetet nga Beogradi, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga minoriteti serb.
Deputeti i kësaj partie, Igor Simiq, pas seancës së sotme ka dalë në një konferencë për media në Kuvendin e Kosovës ku krahas tij ishin edhe bashkëpartiakët, përfshirë kryetarin e këtij subjekti, Zlatan Elek.
“Dua t’ju paralajmëroj se Lista Srpska do të çojë ankesë në Gjykatë Kushtetuese sepse rregullat janë shkelur. Shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje deputetëve të partive shqiptare dhe pakicave tjera joshumicë që të mos votojnë për vendime jokushtuese. Krejt kjo do të mbetet e shënuar se çfarë kanë bërë që Nenad Rashiqin me çdo çmim siç e kanë shtyrë në parlament pa votat e serbëve”, tha Simiq.
Lista Srpska ka propozuar deputetin Slavko Simiq për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, post i cili është i garantuar me Kushtetutë për këtë komunitet.