Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Shpend Ahmeti akuzohet se në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, nuk e ka deklaruar saktë pasurinë, përkatësisht për mosdeklarim të 172 mijë e 600 euro, të enjten, Ahmeti tha se kjo shumë ishte ndihmë financiare nga familja e tij dhe theksoi se disa herë i është nënshtruar kontrollit të pasurisë nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit. Në anën tjetër, Prokuroria propozoi që i akuzuari të dënohet me burg dhe gjobë, si dhe t’i konfiskohet shuma e padeklaruar.
Fillimisht, i akuzuari Ahmeti u deklarua i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në fjalën hyrëse, prokurori special Dren Paca deklaroi se aktakuza do të provohet me provat që do të administrohen, e këtu përfshihen përgjigja zyrtare e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, formularët e deklarimit të pasurisë për periudhën 2018-2022 gjatë mandatit të kryetarit, të dhënat e siguruara nga bankat dhe ekspertiza financiare.
Paca shtoi se pas administrimit të tyre, do të vërtetohet se i akuzuari ka deponuar mjete në shumë 172 mijë euro të cilat nuk i kishte deklaruar.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Ahmeti, avokati Arbër Istrefi, deklaroi se kundërshton në tërësi aktakuzën për arsye se nuk janë përmbushur asnjë nga elementet e parapara të veprës penale.
Ai shtoi se mjetet që po pretendohen se nuk janë deklaruar, janë deponime në llogari bankare nga vetë i mbrojturi i tij, nuk kanë origjinë kriminale dhe nuk ka pasur asnjë qëllim të fshehjes së tyre.
Vetë Ahmeti, deklaroi se gjatë periudhës së lartcekur i është nënshtruar kontrollit të plotë nga APK-ja dhe asnjëherë nuk ka pasur ndonjë problem apo vërejtje nga APK.
“Gjatë kësaj periudhe, une i jam nënshtruar disa herë kontrollit të plotë nga APK, që sipas ligjit bëhet me llotari dhe përzgjedhen 20 për qind të zyrtarëve. Unë jam përzgjedhur disa herë në këtë procedurë dhe sipas Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit, në qoftë se Agjencioni gjen parregullsi i shkruan zyrtarit dhe i jep afat 15 ditor që të përmirësojë deklarimin e pasurisë. Pas këtyre kontrolleve, nuk kam marrë asnjë shkresë nga Agjencioni”, deklaroi Ahmeti.
Avokati Istrefi propozoi që si dëshmitar të ftohet ndonjë zyrtar ligjor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, por ky propozim u refuzua nga trupi gjykues, me arsyetimin se është dhënë përgjigjja e APK-së lidhur me faktet që mbrojtja pretendon t’i vërtetojë përmes dëshmitarit.
Procedura vazhdoi me administrimin e provave materiale, dhe pastaj me dhënien e mbrojtjes së të akuzuarit.
I akuzuari Ahmeti deklaroi se paratë të cilat i kishte deponuar gjatë përiudhës 2018-2022 ishin ndihmë financiare nga familja e tij për shpenzime të ndryshme, ngase bashkëshortja e tij ishte e papunë në atë kohë, dhe asnjëherë nuk kishte qëllim fshehjen e tyre.
Ai tha se nuk e kishte deklaruar atë shumë, për arsye se nuk kishte menduar se është obligim, por shtoi se për të siguruar transparencë të plotë, i kishte deponuar në bankë.
“Në rastin më të keq për mua është gabim teknik”, deklaroi Ahmeti, duke shtuar se asnjëherë nuk ka pasur qëllim për të fshehur pasurinë.
