Një incident i rëndë është regjistruar në një shkollë të mesme në qytetin Oberhausen të Gjermanisë, ku shpërthimi i një mjeti piroteknik ka lënë të plagosur 10 nxënës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 09:40 të mëngjesit të së martës, më 3 nëntor, në zonën Osterfeld, duke vënë në lëvizje shërbimet e emergjencës dhe policinë.
Sipas hetimeve paraprake, një grup nxënësish dyshohet se kanë hedhur një fishekzjarr në dhomën e zhveshjes së palestrës, ku në atë moment ndodheshin 12 nxënës të klasës së pestë.
Shpërthimi shkaktoi lëndimin e 10 fëmijëve. Pesë prej tyre, të moshës 10 dhe 11 vjeç, u transportuan në spitalet pranë zonës për kontrolle të mëtejshme mjekësore, pasi kishin shfaqur dhimbje koke dhe shqetësime në veshë.
Prindërit dhe kujdestarët ligjorë u njoftuan për incidentin, ndërsa disa prej tyre u paraqitën menjëherë në ambientet e shkollës.
Policia bëri të ditur se të gjithë nxënësit që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në ngjarje u identifikuan në vendngjarje. Megjithatë, autoritetet nuk kanë bërë publike moshat e personave që dyshohet se hodhën mjetin piroteknik, si dhe emrin e shkollës.


