Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi, pak para nisjes së Kuvendit të partisë, ka theksuar rëndësinë e demokracisë së brendshme, duke u bërë thirrje delegatëve që të votojnë sipas bindjeve të tyre personale.
Halimi u shpreh e bindur se procesi do të përmbyllet me sukses, duke vlerësuar nivelin e vetëdijes së delegatëve për rëndësinë e argumentit, debatit dhe fuqisë së fjalës.
Ajo tha se gjatë 36 viteve të ekzistencës së LDK-së janë ndërtuar vlerat e lirisë së mendimit, shprehjes së lirë dhe demokracisë, të cilat, sipas saj, duhet të reflektohen edhe në këtë Kuvend.
Megjithatë, Halimi theksoi se, si anëtare e Kryesisë, ka vlerësuar se nuk ka qenë koha e duhur për organizimin e një kuvendi të tillë, por shtoi se beson se LDK-ja do ta kalojë me sukses këtë proces dhe do të dalë “faqebardhë”.