Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se në Kosovë nuk është raportuar asnjë rast i konfirmuar me virusin Ebola dhe se aktualisht nuk ka dëshmi për transmetim lokal të sëmundjes. Sipas IKSHPK-së, rreziku për popullatën e Kosovës mbetet shumë i ulët, megjithatë qytetarëve që udhëtojnë ose kthehen nga Republika Demokratike e Kongos dhe Uganda u është bërë thirrje të respektojnë masat parandaluese.
Instituti rekomandon që udhëtarët të informohen paraprakisht për situatën epidemiologjike në vendet ku udhëtojnë, të shmangin kontaktin me gjakun dhe lëngjet trupore të personave të infektuar, të mbajnë higjienë të rregullt të duarve, si dhe të shmangin kontaktin me kafshët e egra dhe konsumimin e mishit të tyre.
Po ashtu, këshillohet shmangia e marrëdhënieve seksuale të pambrojtura dhe e vizitave në shpella, miniera apo vende ku jetojnë lakuriqët e natës.
Për personat që kthehen nga zonat e prekura, IKSHPK kërkon monitorimin e gjendjes shëndetësore për 21 ditë, periudhë që konsiderohet inkubacioni maksimal i sëmundjes. Simptomat kryesore përfshijnë temperaturë, lodhje të rëndë, dhimbje koke dhe muskulore, të vjella, barkqitje si dhe gjakderdhje apo shenja të tjera hemorragjike.
Në rast të shfaqjes së simptomave, qytetarët duhet të shmangin kontaktin me persona të tjerë, të kontaktojnë menjëherë shërbimet shëndetësore dhe të informojnë për historinë e udhëtimit.
