Një person është ndaluar për 48 orë në lidhje me sulmin ndaj ekipit të “Klan Kosovës” në Ferizaj, ndërsa tre persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në rast vazhdojnë të jenë në arrati.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se personi me inicialet I.R. është ndaluar me vendim të Prokurorit të Shtetit, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, sipas nenit 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas informatave fillestare të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur sot, më 7 tetor 2026, rreth orës 11:44, në rrugën “Hamit Rexhepi” në Ferizaj.
“Disa persona dyshohet se kanë sulmuar fizikisht ekipin e ‘Klan Kosova’, të cilët ishin duke xhiruar në atë lagje lidhur me një çështje pronësore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë
Përveç personit të ndaluar, autoritetet kanë bërë të ditur se tre persona të tjerë të dyshuar aktualisht ndodhen në arrati.


