Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mbajtur sot një takim pune me zyrtarët e gjendjes civile të komunave të rajonit të Mitrovicës, si dhe me zyrtarët përkatës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të angazhuar në zbatimin e Ligjit për Automjete dhe Ligjit për të Huaj, të cilët kanë hyrë në fuqi më 15 mars të këtij viti.
Gjatë takimit, ministri Sveçla i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre, duke theksuar rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, me qëllim të zbatimit të unifikuar dhe efikas të vendimeve të fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në vijim, ai nënvizoi se roli i zyrtarëve është thelbësor për mbarëvajtjen e këtij procesi, duke veçuar informimin në kohë dhe të saktë të qytetarëve dhe bashkëpunimin me ta si elemente kyçe për arritjen e rezultateve të synuara.
Në këtë kontekst, ministri Sveçla theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme është duke punuar me kapacitet të plotë institucional për të siguruar që procesi i filluar të zhvillohet në përputhje me dinamikën e paraparë dhe me standardet ligjore në fuqi.
