Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka deklaruar se rritja e pagës minimale në 500 euro, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), përbën korrupsion elektoral.
Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se në një takim të zhvilluar sot me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, është rënë dakord që paga minimale të jetë 500 euro dhe që zbatimi i saj të nisë nga janari i vitit 2026.
Për këtë çështje, Tahiri ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po manipulon me paratë publike të qytetarëve.
“Loja me pagën minimale dhe shpërndarja e buxhetit të shtetit për përfitime thjesht partiake nga pushteti aktual, ndërkohë që për tre vite rresht është injoruar plotësisht ligji për pagën minimale dhe ai për pagat në sektorin publik, ka vetëm një emër: korrupsion elektoral,” ka shkruar Tahiri në një postim në Facebook.
