Në koalicionin LVV-Guxo dhe Alternativa janë optimistë se do të arrihet marrëveshja me Nismën, siç thonë, vetëm për postet në ekzekutiv, pasi nuk lëvizin nga emri i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.
Ndërkaq, në Nismën Socialdemokrate deklarojnë se nuk kanë kushte për bashkëpunim me LVV-në, derisa shtojnë se ditët në vijim do të shohin a do të binden nga oferta e LVV-së për koalicion qeverisës.
Megjithatë, vihet në pah se përkundër kësaj marrëveshje duhet të sigurohet edhe vota e një deputeti për të krijuar shumica parlamentare prej 61 deputetëve.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se javën e kaluar ka paraqitur një ofertë konkrete karshi liderit të Nismës, Fatmir Limaj, për koalicion qeverisës. Sipas tij, në ditët në vijim do të ketë sërish takime dhe do të shihet nëse do të ketë marrëveshje për formim të institucioneve të reja para afatit obligues të Gjykatës Kushtetuese për konstituim të Kuvendit të Kosovës, i cili skadon më 26 korrik.
Kryetarja e Alternativës, njëherësh deputete e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë për KosovaPress se pas takimit të fundit Kurti-Limaj ka mundësi të mëdha të arrihet një marrëveshje.
Limaj, në takimet paraprake me Albin Kurtin, është shprehur i interesuar që në kuadër të marrëveshjes me LVV-në të marrë vetëm postin e kryekuvendarit dhe jo të përfshihet në koalicion qeverisës.
Mirëpo, Kusari-Lila deklaron se tashmë është bërë e qartë se grupi i tyre parlamentar nuk ka votë për Fatmir Limajn për kryetar të Kuvendit, mirëpo po shikohen variantet tjera për pozicionet në ekzekutiv.
“Nuk mund të flas për detaje të diskutimit pasi që në diskutim apo në negociata është vetë kryeministri me zotëri Limaj. Do të thotë që ata janë të dytë që diskutojnë, por përderisa ka diskutime në vazhdimësi dhe ka ende paralajmërime për takim, unë mendoj që ka mundësi të arrihet një marrëveshje. Ajo çka ka qenë e qartë në këtë periudhë të dytë të diskutimeve, gjegjësisht ju e dini që ka pasur takime edhe në fillim të mbajtjes së seancave konstituive me udhëheqësin e Nismës Socialdemokrate, zotin Limaj, është se tashmë është e ditur se nga grupi ynë parlamentar i përbërë nga tri parti, Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa, nuk ka pasur vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur zotëri Limaj kryetar i Kuvendit… Unë jam e bindur se janë duke u shqyrtuar variantet tjera, gjegjësisht mundësi të tjera, por prapë po them që në këtë fazë është ende herët të thuhet çkado për shkak se nuk është një marrëveshje e finalizuar… Nëse është marrëveshje politike, është marrëveshje për bashkëqeverisje, atëherë duhet të diskutohen pozicionet në ekzekutiv, besoj unë, apo edhe pozicionet tjera në kuadër të Kuvendit”, thekson Kusari-Lila.
Në anën tjetër, anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Fatmir Matoshi, thotë për KosovaPress se nuk kanë paraqitur kushte për bashkëpunim me LVV-në. Megjithatë, sipas tij, vazhdojnë të insistojnë në emrin e Fatmir Limajt për kryeparlamentar. Kjo çështje, sipas Matoshit, është ngritur edhe në takimin e javës së kaluar mes Kurtit dhe Limajt.
Ai nuk tregon ofertën që Kurti ia ka bërë Limajt për koalicion qeverisës, mirëpo shton se rezultatet e takimeve në ditët në vijim do të përcaktojnë nëse Nisma do të bindet të jetë pjesë e ekzekutivit me LVV-në.
“Normalisht se ne mendojmë që Fatmir Limaj, kryetar i Kuvendit, është zgjidhja më e mirë edhe për Lëvizjen Vetëvendosje. Nuk është veç për Nismën Socialdemokrate, është edhe për Lëvizjen Vetëvendosje. Normalisht që këto ia themi Lëvizjes Vetëvendosje, sepse kemi një kundërshtim të madh për zonjën Haxhiu nga gjitha subjektet tjera politike… Tema e kryetarit të Kuvendit ka qenë pjesë e bisedave të fundit. Do të jetë prapë pjesë e bisedave që mund të ketë këto dy-tri ditë. Nisma nuk ka paraqitur kushte, nuk vendos kushte. Nuk është e interesuar me ngulë këmbë edhe me kushtëzuar me një pikë të caktuar… Ndërkohë, rezultatet e bisedimeve do ta përcaktojnë nëse ne do të bindemi që të jemi pjesë e një ekzekutivi me Lëvizjen Vetëvendosje”, thekson Matoshi.