Sipas Entit Republikan të Statistikave të Serbisë, këto produkte janë mes dhjetë më të eksportuarave drejt SHBA-së, gjatë viteve të fundit.
Millojko Bërzakoviq, ish-drejtor i kompanisë serbe të armëve “Zastava Oruzhje” në Kragujevc, thotë se industria mund t’i mbijetojë kësaj goditjeje, nëse të gjithë pjesëmarrësit në zinxhirin e eksportit e ndajnë barrën.
“Secili mund të heqë dorë nga një pjesë e fitimit. Fabrika mund t’i ulë çmimet, e po ashtu edhe tregtarët, ndërsa blerësit në tregun amerikan do të duhet të përballojnë një pjesë të kostos, pasi çmimet do të rriten”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Eksportuesit më të mëdhenj të armëve nga Serbia në SHBA janë “Zastava Oruzhje” nga Kragujevci dhe “Prvi Partizan” nga Uzhica – kompani që janë kryesisht në pronësi shtetërore.
“Zastava” shet në tregun amerikan armë sportive dhe për gjueti, të destinuara për stërvitje dhe përdorim civil, ndërsa fabrika në Uzhicë eksporton municion.
Të dyja kompanitë kanë zyra përfaqësuese në SHBA: “Zastava arms USA” dhe “PPU USA ammunition”.
Më 7 korrik, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi tarifa prej 35% për importet nga Serbia, duke filluar nga 1 gushti.
Ato do të jenë pjesë e një politike të re doganore të SHBA-së për një numër vendesh.
Trump njoftoi për tarifat e reja përmes letrave drejtuar udhëheqësve të vendeve, duke bërë me dije se ato nuk do të aplikohen nëse ato vende ose kompanitë e tyre vendosin të prodhojnë brenda SHBA-së.
Analisti ushtarak serb, Aleksandar Radiq, vlerëson se tarifat më të larta do të përbënin një goditje serioze.
“Armët nga Serbia në SHBA kanë çmime konkurruese. Nëse do të shtrenjtoheshin, besoj se blerësit do të tregonin interes për ato që janë më lirë, sepse gjithçka shihet përmes dollarit. Në mënyrë indirekte, ky edhe është qëllimi i masave të reja të administratës amerikane – që Amerika të kthehet në prodhimin vendas”, thotë Radiq për Radion Evropa e Lirë.
Në faqen e internetit të “Zastava Arms USA” shihet se produkti kryesor i fabrikës së Kragujevcit në tregun amerikan është varianti i pushkës M70, i bazuar në sistemin sovjetik “Kallashnikov”.
Kjo armë në SHBA shitet në formën e një pushke sportive gjysmë-automatike.
Çmimi mesatar i një kallashnikovi nga Kragujevci, sipas informacioneve nga ueb-faqja e shitësit, është rreth 1.500 dollarë.
“Në SHBA, ‘Zastava’ është një markë e respektuar, sepse e ka dëshmuar cilësinë e saj gjatë dekadave të fundit. Nga prodhimi në Kragujevc, në SHBA shkon një pushkë gjysmë-automatike, e bërë nga një version automatik i kallashnikovit. Ligji u lejon atyre të posedojnë armë gjysmë-automatike”, thotë Bërzakoviq.
Përveç këtyre pushkëve, fillimisht të njohura si AK-47, “Zastava” eksporton në SHBA edhe municione për këtë armë me kalibër 7.62×39 mm, pjesë këmbimi, pushkë snajper, karabina, pistoleta, pushkë gjuetie dhe thika.
Fabrika e Kragujevcit ka një kontratë shumëvjeçare për të furnizuar SHBA-në me armë sportive dhe gjuetie, me vlerë prej 234 milionë dollarësh.