Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka bërë thirrje për përmbajtje dhe reflektim në një kohë tensionesh dhe dhune në vend.
Në një deklaratë publike, ai ka sqaruar vendimin për shtyrjen me një javë të seancës plenare, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së rendit, mbrojtjes së të rinjve dhe vijimit të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
DEKLARATË E KRYETARIT TË KUVENDIT, NIKO PELESHI:
Çmoj si detyrim shtetëror dhe kombëtar të ndaj me opinionin publik një sqarim për ditën e sotme, ditë seance plenare për Kuvendin e Shqipërisë, si dhe një qëndrim për situatën që po kalon vendi.
Me përgjegjësinë për të garantuar një seancë të qetë, ku çdo deputet të ketë hapësirën kushtetuese dhe ligjore për të ushtruar detyrën e tij shtetërore, përballë një situate të paprecedentë dhune ndaj institucioneve të shtetit, pronës publike dhe pasurisë private të qytetarëve; në dritën e të dhënave shqetësuese nga institucionet ligjzbatuese për skenarë të rrezikshëm që po cenojnë rëndë rendin, sigurinë dhe qetësinë publike në vendin tonë dhe për të mos dhënë asnjë shkas për provokim, vendosa ta shtyj me një javë seancën plenare të planifikuar për sot.
Sot është dita kur çdo shtetar, çdo parti politike, çdo organizatë jofitimprurëse, përfaqësuesit e elitës akademike dhe të biznesit, dhe çdo qytetar i denjë i këtij vendi duhet t’i thërrasë arsyes dhe instinktit tonë kombëtar për paqe.
Jetojmë në demokraci. Kemi orientime politike të ndryshme. Kemi interesa të ndryshme. Grindemi, zemërohemi, protestojmë. Por mbi çdo ndryshim qëndron një interes i përbashkët kombëtar, një tokë e përbashkët: Shqipëria jonë.
Studentët, nxënësit dhe fëmijët tanë do ta trashëgojnë këtë vend, e bashkë me të edhe përgjegjësinë për ta bërë më të mirë.
Ata kanë të drejtë të kërkojnë prej nesh më shumë dhe më mirë.
Kanë të drejtë të dëgjohen më shumë.
Kanë të drejtë të ulen më shpesh në tryezat e përbashkëta që i fituan vetë duke ngritur zërin, si Tryeza e Paktit për Universitetin.
