Situata në fshatin turistik të Thethit u tensionua këtë të mërkurë, ku banorët bllokuan hyrjen kryesore në fshat për të penguar vijimin e aksionit të IKMT-së për heqjen e disa objekteve të vendosura në tokat e tyre.
Banorët u pozicionuan në urën hyrëse të fshatit, duke formuar një kordon njerëzor për të ndaluar hyrjen e forcave të IKMT-së dhe Policisë së Shtetit.
Ata patën një përplasje me forcat e policisë dhe nuk i lejuan që të futeshin në fshat ndërsa bënë thirrje që të mos preken nënat, gratë dhe familjarët e tyre duke u shprehur se po qëndrojnë aty për të mbrojtur pronat dhe jetesën e tyre.
“Mos prekni nënat tona, ndalni aksionin,” kanë thirrur banorët, duke kërkuar ndërhyrjen e shtetit për të ndaluar prishjen e objekteve që, sipas tyre, janë ndërtuar në tokën e tyre dhe pa elementë betoni, vetëm me materiale druri tradicionale.
Drejtuesit e Policisë iu bënë thirrje banorëve, për rreth një orë, që të zhbllokonin rrugën e bllokuar si formë proteste ndaj aksionit të IKMT por pavarësisht insistimit të policisë, banorët nuk pranuan të tërhiqeshin.
Situata qëndroi e tensionuar deri në momentin kur nisën reshjet e shiut, çka solli një tërheqje graduale nga të dyja palët.