Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës u mblodhën sot nga ora 11:00 në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës duke kërkuar nga partia më e madhe parlamentare dhe kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari të thirret vazhdimi i seancës për konstituimin e legjislativit.
Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës sot ka vazhduar pritjen e mërgimtarëve duke hapur dyert për sallën plenare për vizita nga ora 12:00 deri në 16:00
Në pritje të mërgimtarëve, prezentë ishin edhe deputetë të LVV-së, mes tyre edhe U.D. presidentja Albulena Haxhiu.
Por, ishte pikërisht prezenca e kësaj të fundit që solli tensionet e para.
Derisa Haxhiu hyri në sallën plenare, aty ishin të pranishëm edhe disa prej deputetëve të PDK-së, si Blerta Deliu e Sala Jashari.
Ato patën fjalosje të ashpra mes vete, që në themel deputetët e PDK-së e kishin kërkesën: “Thirreni seancën”.
Jashari me Haxhiun e patën një përballje më të theksuar, ku U.D. presidentja i tha se LVV-ja e ka fuqinë, kurse ajo i tha se “fuqia kërkon përgjegjësi dhe punë”.
Pas këtij momenti, deputetët nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, Ardian Gola, Adnan Rrustemi dhe Vigan Qorrolli përsëritën kërkesat e tyre për takime për marrëveshje politike në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja parlamentare.
Derisa Nagavci po debatonte me deputeten Deliu, ishte deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi e cila e s shtyu Nagavcin duke i kërkuar të largohet nga salla. Por, gjithçka përfundoi me kaq.




