Një tërmet i lehtë 3.1 shkallë ka goditur Kosovën në orët e hershme të mëngjesit, pa shkaktuar dëme materiale apo shqetësime serioze te qytetarët. Ndonëse tërmetet me magnitudë të vogël nuk përbëjnë rrezik të madh, sipas sizmologëve, janë sinjal i qartë se rajoni mbetet sizmikisht aktiv.
“Bazuar në hartën e rrezikut sizmik, pra, territori i Kosovës ka tri apo katër zona me aktivitet më të lartë, kurse i ka disa zona me aktivitet më të ulët. Por, megjithatë çdo sipërfaqe brenda territorit të Kosovës është zonë sizmike”, tha Shemsi Mustafa, drejtor i Institutit Sizmologjik të Kosovës.
Përballë këtij pohimi, duke iu referuar standardeve të ndërtimit, që shpesh mbesin vetëm fjalë në letër, nga këndvështrimi i një sizmologu, fatkeqësisht ndërtimet në vend nuk mund t’i bëjnë ballë as edhe një tërmeti me magnitudë jo shumë të lartë. Ndaj shtrohet domosdoshmëria për plotësim të kritereve bazuar në parandalimin e katastrofave të mëdha.
“Diku ndërtesat, për Kosovë po flasim, viteve të ’60-ta shumë pak është përfshirë parametri sizmik. Ndërtesat prej viteve ’70-ta deri në fundin e viteve të ’90-ta është përfshi parametri sizmik. Çka është shqetësuese është për ndërtimet në një dekadë pas luftës që faktikisht ka projektuar çdokush, ka ndërtuar çdokush”, tha Mustafa.
Tërmet në Kosovë në orët e hershme të mëngjesit
