Ndërmarrja publike “Termokos” ka njoftuar se janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për fillimin e sezonit të ngrohjes 2026/2027, i cili nis zyrtarisht sot, më 15 tetor, për mbi 25 mijë konsumatorë të kyçur në rrjetin e ngrohjes së kryeqytetit.
Sipas njoftimit të ndërmarrjes, pas vlerësimit të përgatitjeve për sezonin e ri, kryeshefi ekzekutiv i Termokosit, Bersant Beka, në bashkëpunim me menaxhmentin, ka konstatuar se janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme.
“Në bazë të këtij vlerësimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe kushtet klimatike, sezoni ngrohës 2026/2027 fillon zyrtarisht më 15 tetor për mbi 25 mijë konsumatorë të kyçur në rrjetin e ngrohjes së kryeqytetit”, thuhet në njoftimin e Termokosit.

