Kompania e Hekurudhave “Trainkos” ka reaguar pas raportimeve se pesë vagonë të trenëve të saj janë dërguar për riparim në Zrenjanin të Serbisë në dhjetor të vitit 2024.
Trainkos ka bërë të ditur se tenderin për riparimin e vagonëve e kishte fituar kompania vendore “Profitech Sh.P.K.”, përmes një procedure të prokurimit publik të zhvilluar në shkurt të vitit 2024.
Sipas Trainkos, kompania fituese ka qenë përgjegjëse për përzgjedhjen e nënkontraktorëve. Ndërmarrja thotë se pas raportimeve të fundit ka kontaktuar “Profitech”-in, nga ku është njoftuar se vagonët janë dërguar në Zrenjanin pasi “vetëm atje mund të rregullohen”.
“Kompania fituese është përgjegjëse për përzgjedhjen e nënkontraktorëve, dhe sipas Ligjit të Prokurimit Publik, ndërmarrja nuk ka mekanizëm juridik ta përcaktojë, apo në ndonjë mënyrë të ndikojë në përzgjedhjen e nënkontraktorëve.
Pas deklaratave të publikuara sot në medie, ndërmarrja ka kontaktuar operatorin “Profitech Sh.P.K”. për të marrë zyrtarisht informatat në vijim:
1. Cila është arsyeja që vagonët janë dërguar në Zrenjanin për riparim?
2. A është dashur të merret leje prej dikujt për dërgimin e tyre atje?
3. A ka qenë e mundur të evitohet dërgimi i tyre atje?
Operatori Ekonomik ka njoftuar ndërmarrjen “Trainkos” si në vijim:
1. Sepse vetëm ata mund ti rregullojnë keta vagonë.
2. Ne njoftojmë doganën paraprakisht dhe kalojnë permes Maqedonisë për në Serbi.
3. Jo, nuk ka pasur mundesi pasi qe nuk mund te rregullohen diku tjeter”, shkruhet në Facebok.
Trainkos ka paralajmëruar një vlerësim të pavarur për të parë nëse riparime të tilla mund të kryhen edhe në shtete të tjera.
Ndërmarrja ka mohuar gjithashtu raportimet se një punonjës është larguar nga puna për shkak të rastit me vagonët, duke sqaruar se ai aktualisht është në procedurë disiplinore për shkelje të detyrave të punës.
“Për hir të informimit të saktë dhe të plotë të publikut, ndërmarrja konsideron të rëndësishme të qartësohen historiku dhe specifikat e riparimeve. Në vitin 2017, vagonët në fjalë janë blerë nga Gjermania dhe po në të njejtin vit janë riparuar në Zrenjanin. Asokohe, komisioni i ndërmarrjes kishte vizituar punishten në Zrenjanin për të bërë pranimin teknik të vagonëve. Është tendencioze dhe manipuluese që konteksti dhe historiku i riparimit të vagonëve të injorohet për qëllim të politikave ditore të cilat aspak nuk i shërbejnë interesit publik".
"Gjithashtu, demantojmë kategorikisht edhe një tjetër dezinformatë që po qarkullon në publik: lajmin e pavërtetë se Trainkos ka larguar nga puna një punonjës të apostrofuar në media lidhur me këtë rast. Ndërmarrja nuk e ka përjashtuar nga puna punonjësin. I njejti aktualisht është në procedurë para komisionit disiplinor për shkak të shkeljeve të shumta të detyrave të punës, përfshirë edhe mosvijimin në punë. Çdo tentativë për ta lidhur një procedurë të rregullt për shkelje të disiplinës në punë me situatën e vagonëve, është fabrikim dhe manipulim i radhës".
"Ndërmarrja është e përkushtuar për të mbrojtur interesin publik dhe respektuar ligjet e Republikës së Kosovës. Ndërmarrja u bën thirrje të gjitha palëve që për të marrë informatat e sakta dhe të vërteta, të orientohen tek komunikimet zyrtare dhe insitucionale dhe të ndalin fushatat keqinformuese”, thuhet në reagim