Prej gati një dekade, Shqipëria është shndërruar në një nga destinacionet më tërheqëse për turistët ndërkombëtarë, por edhe për nomadët digjitalë që kërkojnë mundësi për të qëndruar në Evropë për periudha të gjata pa procedura të ndërlikuara. Kështu e nis artikullin për vendin tonë media amerikane e udhëtimeve “Travel of Path”, duke nënvizuar se destinacioni më i ri turistik i Evropës mund të përballet me ndryshime të mëdha për vizitorët pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Shumë vende evropiane janë të njohura për qasjen e tyre të aksesit sa më të thjeshtë, praktike dhe pa shumë burokraci ndaj turistëve, por kjo shpesh ndryshon sapo bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, shkruan tvklan.al, transmeton Klankosova.tv.
Media amerikane “Travel of Path” nënvizon se, siç dihet, Zona Shengen ofron shumë përparësi për lëvizjen e lirë të qytetarëve, por njëkohësisht vendos edhe kufizime të qarta për qytetarët e vendeve jashtë saj.
Por në Shqipëri, deri më sot, kjo nuk ka qenë një shqetësim. Megjithatë, anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të ishte një zhvillim shumë pozitiv për qytetarët shqiptarë, të cilët do të fitonin të drejtën për të lëvizur dhe jetuar më lirshëm në vendet e BE-së. Por nga ana tjetër, për turistët dhe vizitorët e huaj, ndryshimet do të ishin paksa më të ndërlikuara.
