Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka bërë të ditur sot se disa qytetarë të Kosovës janë ndaluar në kufirin mes Moldavisë dhe Ukrainës, ku sipas tij, janë trajtuar në mënyrë fyese dhe poshtëruese nga autoritetet ukrainase.
Pacolli tha se shtetasit kosovarë jo vetëm që u refuzuan të hyjnë në Ukrainë, por edhe u ofenduan e u maltretuan, duke i quajtur “terroristë”.
Ai kujtoi se ky nuk është rasti i parë, duke përmendur edhe skandalin e disa viteve më parë kur kombëtarja e Kosovës në futboll u detyrua të zhvillonte ndeshjen në Gjeorgji, pasi Ukraina nuk lejonte hyrjen e ekipit në territorin e saj.
“Ka dhjetëra shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por pothuajse të gjitha u lejojnë qytetarëve tanë hyrjen me pasaportë kosovare. Sot, Ukraina i ktheu qytetarët e Kosovës në kufi, duke i fyer e poshtëruar. Ne vazhdojmë të tregojmë solidaritet për ta, ndërkohë që ata nuk respektojnë as dinjitetin tonë minimal”, theksoi ai.
