Ushtria shqiptare është pajisur me 40 mjetet e para taktike të prodhuara në Shqipëri sipas standardeve të NATO-s nga kompania “Timak Defence”, ku aksionare është edhe qeveria shqiptare.
Gjatë ceremonisë së dorëzimit, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm për industrinë ushtarake shqiptare, duke deklaruar se vendi po hyn në një fazë të re të prodhimit të pajisjeve të mbrojtjes.
Rama tha se synimi është që deri në vitin 2028 Forcat e Armatosura të pajisen me të gjitha mjetet dhe kapacitetet e nevojshme sipas standardeve të NATO-s.
“Brenda vitit 2028, ushtria shqiptare do t’i ketë të gjitha mjetet dhe kapacitetet, nga automjetet më të lehta deri te armët më të sofistikuara. Do të ketë një flotë të madhe mjetesh sipas standardeve të NATO-s”, deklaroi ai.
Kryeministri nuk e përjashtoi mundësinë që në të ardhmen pajisje të prodhuara në Shqipëri t’i ofrohen edhe ushtrisë amerikane.
