Gjatë majit 2026 çmimet në Kosovë kanë qenë mesatarisht 6.8 për qind më të larta krahasuar me majin e vitit të kaluar. Rritjet më të mëdha janë regjistruar te transporti, energjia, strehimi dhe ushqimet.
Jeta në Kosovë po bëhet çdo muaj më e kushtueshme. Të dhënat e fundit të çmimeve të konsumit, të publikuara nga Agjencia e Statistikave tregojnë se inflacioni vjetor në maj 2026 ka arritur në 6,8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar te transporti, me plot 14,1 për qind më shumë se një vit më parë. Kjo nënkupton se qytetarët po paguajnë dukshëm më shtrenjtë për lëvizje, derivate dhe shërbime të lidhura me transportin.
Menjëherë pas transportit vjen sektori i strehimit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve djegëse, ku çmimet janë rritur për 13,2 për qind.
Edhe ushqimi vazhdon të mos ndalet me shtrenjtim. Ushqimet dhe pijet joalkoolike janë rritur për 5,1 për qind, duke bërë që shporta bazë e konsumit të kushtojë gjithnjë e më shumë. Përveç produkteve ushqimore, rritje është regjistruar edhe te pijet alkoolike dhe duhani me 5,6 për qind.
“Në muajin maj 2026, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur me 6,8% krahasuar me muajin maj 2025. Rritja është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it: transporti (14,1%), strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (13,2%), pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (5,6%), restorante dhe shërbime akomodimi (5,3%), ushqime dhe pije joalkoolike (5,1%), shëndetësi (4,1%), mobilje dhe pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore (3,6%), kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3,0%), rekreacion, sport dhe kulturë (2,7%), veshje dhe këpucë (2,4%) dhe informacion dhe komunikim (0,2%).”
