Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të 7 gushtit 2025, duke e cilësuar atë si konfirmim të plotë të qëndrimit të PDK-së se Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur peng Kuvendin për muaj me radhë, në kundërshtim me Kushtetutën.
“Sot, Gjykata Kushtetuese vulosi të vërtetën që për muaj me radhë e kemi ngritur me zë të lartë: Vetëvendosje e ka bllokuar qëllimisht dhe në mënyrë të planifikuar funksionalizimin e Kuvendit për interesa të ngushta pushteti, me veprime tërësisht jashtë kushtetutës,” ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se me këtë vendim, me Aktgjykimin e 7 gushtit 2025, Gjykata shpalli të pavlefshme të gjitha veprimet parlamentare arbitrare nga 27 qershori deri më 26 korrik; konstatoi se deputetët nuk kanë zbatuar vendimin kushtetues të 26 qershorit; se veprimet e Kryesuesit të seancës ishin antikushtetuese; dhe se Komisioni për Votim të Fshehtë ishte i jashtëligjshëm.
“Ky është konfirmim i plotë se bllokada, shkeljet dhe veprimet arbitrare të Lëvizjes Vetëvendosje ishin jo vetëm antikushtetuese, por edhe thellësisht të dëmshme për demokracinë dhe shtetin tone. Për gjashtë muaj, qytetarëve iu mohua përfaqësimi, institucioneve iu ndal funksioni, e vendit iu imponua stagnimi,” ka shtuar ai.
