Pjesa më e madhe e deputetëve të legjislaturës së kaluar do të vazhdojnë të jenë pjesë edhe e përbërjes së re të Kuvendit. Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara pas numërimit të të gjitha votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, gjithsej 101 ligjvënës kanë arritur të rinovojnë mandatin e tyre.
Lëvizja Vetëvendosje ka rikthyer 48 deputetë nga përbërja e mëparshme, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës do të përfaqësohet sërish nga 19 emra që kanë qenë edhe në legjislaturën e kaluar. Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar rikthimin e 15 deputetëve, kurse Aleanca ka përsëritur mandatin për gjashtë prej tyre.
Në anën tjetër, Kuvendi do të ketë edhe fytyra të reja. Për herë të parë mandat deputeti kanë fituar nëntë persona, pesë prej tyre nga Vetëvendosje dhe katër nga Lista Serbe. Nga LVV-ja debutues do të jenë Osman Musliu, Arton Konushevci, Armend Baloku, Krenare Çerkini dhe Valon Peci.
Po ashtu, dhjetë ish-deputetë që munguan në legjislaturën e fundit do të rikthehen në ulëset parlamentare. Nga PDK-ja kthehen Jakup Nura, Altin Krasniqi dhe Rrustem Mustafa. Përmes LDK-së rikthehen Vjosa Osmani-Sadriu, Arben Gashi dhe Paris Guri, ndërsa nga Aleanca do të jenë sërish pjesë e Kuvendit Ardian Gjini dhe Teuta Haxhiu. Nga komunitetet joshumicë rikthehen edhe Fikrim Damka dhe Albert Kinolli.
Sipas shpërndarjes së mandateve, Vetëvendosje ka fituar 53 ulëse në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 18, ndërsa Aleanca 7.
