Lideri global në teknologjinë e pagesave VISA, ka njoftuar zyrtarisht lansimin e Apple Pay për klientët e saj në Kosovë – një mënyrë moderne, e sigurt dhe private për të paguar, që eliminon nevojën për dorëzimin e kartelës, prekjen e butonave fizikë apo përdorimin e parasë kesh. Apple Pay përdor fuqinë dhe sigurinë e iPhone për të mbrojtur çdo transaksion.
Përdoruesit mund të kryejnë pagesa pa kontakt duke afruar iPhone ose Apple Watch pranë një terminali pagesash. Çdo transaksion me Apple Pay verifikohet në mënyrë të sigurt përmes Face ID, Touch ID ose kodit të pajisjes, si dhe përmes një kodi unik dinamik për siguri maksimale. Apple Pay pranohet tashmë në markete, farmaci, restorante, kafene, taksi, dyqane dhe vende të tjera në të gjithë Kosovën.
“Sjellja e Apple Pay në Kosovë nuk është thjesht një përmirësim teknologjik – është një ndryshim stili jetese. E dimë që gjenerata e sotme kërkon shpejtësi, siguri dhe lehtësi – dhe pagesat nuk duhet të jenë ndryshe. Përdorimi i kartelave pa kontakt në Kosovë u rrit me 3.6% vitin e kaluar, dhe kjo tregon qartë se njerëzit duan opsione digjitale që përputhen me ritmin e tyre. Me Apple Pay, po ofrojmë pikërisht këtë: një përvojë ‘prek dhe paguaj’ që mbron të dhënat dhe e vendos portofolin tuaj… në telefon,” – u shpreh Ana Draskovic, Zëvendëspresidente dhe Drejtoreshë e Përgjithshme për Visa SEE.
Apple Pay ofron gjithashtu mundësinë për blerje të shpejta dhe të lehta në aplikacione dhe faqe interneti përmes Safari në iPhone, iPad dhe Mac – pa pasur nevojë për krijim të llogarive apo futje të vazhdueshme të të dhënave të dërgesës apo pagesës. Shërbimi mund të përdoret për porosi ushqimi, transport, parkim dhe shumë më tepër – madje edhe për pagesa brenda aplikacioneve në Apple Watch.