Pavarësisht shpalljes së aktgjykimit të fundit nga Gjykata Kushtetuese më 8 gusht, publikimi i plotë i vendimit në Gazetën Zyrtare ende nuk është bërë, çka po vonon thirrjen e mbledhjes për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka komentuar situatën e krijuar, ku ka thënë se vonesat e Gjykatës Kushtetuese, duket se po e ndjekin kalendarin drejt një date dhe që vendi të mbajë dy palë zgjedhje.
“Qoftë me kalkulime politike, qoftë si produkt i procedurave, masat dhe vonesat e Gjykatës Kushtetuese po duket se po e ndjekin kalendarin drejt një date të dakorduar në heshtje, për të mbajtur dy palë zgjedhje në të njëjtën ditë, me 12 tetor. Ose, një skenar tjetër, i diskutuar nga disa parti, është zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare mes raundit të parë dhe balotazhit të zgjedhjeve për kryetarë komunash”, ka thënë Kryeziu.
Tutje, ai ka shkruar se mbetet të shihet se kujt i shkon përshtati ky dakordim i heshtur, mbetet të shihet në vazhdim.
“Kujt i shkon përshtati ky dakordim i heshtur dhe çfarë do të prodhojë për vendin mbajtja e dy palë zgjedhjeve – qendrore dhe lokale, do ta shohim. Ajo që dihet, ende nuk ka marrëveshje politike e as që duket se do të ketë. Situata aktuale më shumë po ngjanë në një ecje të qëllimshme, drejt zgjedhjeve të parakohshme”, ka pohuar ai në reagimin në Facebook.
