Policia e Kosovës ka shqiptuar gjoba të rënda ndaj një kundërvajtësi që është kapur dy ditë radhazi duke tejkaluar dukshëm kufizimin e shpejtësisë në rrugën Prishtinë–Pejë, në fshatin Qyshk.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, më 10 tetor 2026, shoferi është kapur duke vozitur me 164 km/h në zonën ku kufizimi i shpejtësisë është 60 km/h. Matja është bërë me radar laser, ndërsa atij i është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, pesë pikë negative dhe masë mbrojtëse prej gjashtë muajsh.
Të nesërmen, më 11 tetor, i njëjti kundërvajtës është kapur sërish në të njëjtin lokacion, këtë herë duke vozitur me 140 km/h, po ashtu në zonën e kufizuar në 60 km/h.




