Një ngjarje e rëndë ka përfunduar me vdekjen e një gruaje 25-vjeçare në fshatin Kërvasari të Malishevës, e cila ishte në javën e 34-t të shtatzënisë. Ajo u plagos me armë zjarri të dielën në mbrëmje dhe, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Në të njëjtin rast është plagosur edhe bashkëshorti i saj, i cili aktualisht po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Gjendja e tij shëndetësore është rëndë dhe kritike për jetën, ndërsa Prokuroria e konsideron atë të dyshuar për vrasjen e gruas.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:20, kur Policia e Kosovës është informuar për të shtëna me armë zjarri dhe persona të plagosur. Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë gjetur çiftin në një dhomë gjumi, me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit.
Të dy janë dërguar fillimisht për trajtim mjekësor, ndërsa për shkak të gjendjes së tyre janë transferuar në QKUK në Prishtinë.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka bërë të ditur se gruaja ishte shtatzënë në javën e 34-t. Ekipet mjekësore kanë tentuar ta reanimonin, por plagët kanë qenë fatale. Vdekja e saj është konstatuar rreth orës 01:10.
Ndërkohë, bashkëshorti i saj është intubuar dhe është vendosur në respirator. Sipas mjekëve, ai vazhdon të jetë në gjendje shumë të rëndë dhe jostabile.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka konfirmuar se bashkëshorti i viktimës dyshohet për vrasjen e saj. Edhe ai ka pësuar plagë nga arma e zjarrit dhe, për shkak të gjendjes shëndetësore, vazhdon të trajtohet në QKUK.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.



