Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë me dije se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, duke zbatuar planin taktik të koduar “Kufiri 2”, të premten, në autostradën “Arbën Xhaferi” (afër daljes Doganaj-Kaçanik), është gjetur dhe sekuestruar substancë narkotike e dyshuar për marihuanë, në sasi prej rreth 136 kilogramë.
Sipas njoftimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar tre persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Ndërkaq, sipas njoftimit, një person tjetër i dyshuar për përfshirje në rast gjendet në arrati.
Për më tepër, Prokuroria theksoi se “ekzistojnë dyshime për përfshirjen e një zyrtari policor në këtë rast, ndaj të cilit janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale”.


