Kongresisti amerikan, Keith Self, së bashku me dy kolegë tjerë, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve në ShBA për të shprehur mbështetje të fortë për integrimin e Kosovës në NATO.
Por, këtë iniciativë po zotohet se do ta luftojë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq .
“Ne së shpejti do të kemi ushtrime të rëndësishme me ta (NATO). Po bisedojmë me ta, shpresojmë që kjo të mos ndodhë. Do të luftojmë që diçka e tillë të mos ndodhë. Mos harroni se ekzistojnë katër vende që janë anëtare të NATO-s, siç janë edhe pesë anëtare në BE, që nuk e kanë njohur Kosovën. Nuk e shoh se si kjo mund të kalojë lehtë, por të presim e të shohim”, tha Vuçiq për gazetarët, raporton agjencia serbe e lajmeve “ Tanjug “.
Në rezolutën e propozuar nga kongresistët amerikanë, përmenden disa prej arsyeve që Kosova meriton anëtarësimin në NATO.
“Për më tepër, ndërsa forcat kundërshtare vazhdojnë të destabilizojnë rajonin, shtimi i Kosovës në aleancën e NATO do të shërbente si një kundërpeshë e domosdoshme për t’i dekurajuar përpjekje të tilla armiqësore dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan”, thuhet në rezolutë.
Katër shtete anëtare të NATO-s , Greqia, Rumania, Sllovakia e Spanja, ende nuk e kanë njohur Kosovën shtet.
