Pas më shumë se 27 vjetësh pritjeje në ankth, laboratori i Hagës ka konfirmuar zyrtarisht tri identifikimet e para përmes ADN-së për të ashtuquajturin “Grupi i Intelektualëve të Mitrovicës”.
Mostrat u nxorën pas një muaji gërmimesh intensive në tri varreza masive në Zubin Potok, ku forcat serbe, në prill të vitit 1999, ekzekutuan dhe fshehën trupat e 23 civilëve shqiptarë, përfshirë mjekë, profesorë e veprimtarë të shquar. Ndërsa procesi forenzik vazhdon për pjesën tjetër të grupit, Komisioni Qeveritar po rrit presionin për hapjen e arkivave të luftës dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë.
Nëntoka e Zubin Potokut ka rikthyer pas 27 vjetësh dëshmitë e një prej krimeve më të rënda të luftës në Kosovë. Në fshatrat Kalludër dhe Jabukë, autoritetet kanë përfunduar zyrtarisht zhvarrimin e mbetjeve mortore që dyshohet se u përkasin 23 civilëve të njohur si “Grupi i Intelektualëve” të Mitrovicës. Derisa raportet e para të ADN-së nga Haga kanë identifikuar tri viktimat e para, pjesa tjetër e mostrave ndodhet ende në proces ekzaminimi.
“Siç është bërë e ditur tashmë, janë pranuar tri raportet e para të ADN-së dhe, sigurisht, që jemi në komunikim dhe ekspertët tanë mjekoligjorë janë në komunikim të vazhdueshëm me mjekët ligjorë të Komisionit Ndërkombëtar, për të parë mundësinë edhe të pranimit dhe përshpejtimit të procedurave për mostrat tjera të dërguara nga mbetjet mortore të zhvarrosura nga lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë. Në momentin e parë të pranimit të raporteve, siç është vepruar edhe në rastet e tri identifikimeve të para, sigurisht që puna e parë do të jetë njoftimi i këtyre rezultateve tek familjarët e viktimave të luftës”, tha Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.
Grupi i Intelektualëve nga Mitrovica përbëhej nga profesionistë të dalluar, kirurgë, mjekë, profesorë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, të cilët po largoheshin të organizuar, në drejtim të Malit të Zi, për t’i shpëtuar përndjekjes. Ata u bllokuan dhe u ekzekutuan në zonën e Zubin Potokut, ndërsa trupat e tyre u fshehën në varreza masive për të zhdukur gjurmët e krimit.
