Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka deklaruar se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike nuk mund të shtyhet.
Përmes një përgjigje për Kohën, ZRRE-ja ka thënë se zbatimi i tij përbën një obligim ligjor i cili nuk mund të shtyhet mbi baza të kërkesave të palëve të interesit.
“Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për dalje në treg të lirë të konsumatorëve që nuk i plotësojnë kushtet për shërbim universal është plotësisht në përputhje me Ligjin Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike si dhe me kuadrin rregullativ në fuqi. Ky vendim ka për qëllim zbatimin e detyrimeve ligjore për liberalizimin e tregut dhe krijimin e një mjedisi konkurrues, transparent dhe jo-diskriminues. ZRRE është duke monitoruar me kujdes zbatimin e këtij vendimi dhe zhvillimet në treg, ky vendim nuk mund të shtyhet, pasi zbatimi i tij përbën një obligim ligjor i cili nuk mund të shtyhet mbi baza të kërkesave të palëve të interesit”, thuhet në përgjigje.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka bërë të ditur se më 31 korrik, të gjitha bizneset në Kosovë me mbi 50 punëtorë, ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë elektrike, do të mbesin pa rrymë.