Nazmi Jusufi, ish-zyrtar në Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë, ka folur për procesin gjyqësor ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke shprehur shpresën se drejtësia do të jetë në favor të tyre dhe se ata do të shpallen të pafajshëm.
Jusufi ka kritikuar kohëzgjatjen e procesit në Gjykatën Speciale, duke thënë se krerët e UÇK-së ndodhen prej gati gjashtë vitesh në paraburgim në Hagë.
“E shoh një dallim, e shoh një proces që në fakt ka zgjatë shumë. Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjenden tash e thuajse gjashtë vite në burgun e Hagës, të ngujuar, të izoluar dhe drejtësia akoma nuk e ka dhënë verdiktin final”, ka deklaruar Jusufi për Telegrafin.
Ai ka shprehur bindjen se, sipas tij, drejtësia do të triumfojë dhe se krerët e UÇK-së do t’u bashkohen familjeve dhe Kosovës.
“Shpresoj shumë që më në fund drejtësia e Luftës Çlirimtare të Kosovës, drejtësia e krerëve më në fund do të triumfon dhe edhe nesër në këtë proces do të dalë e vërteta. Drejtësia do ta thotë më në fund fjalën e vet dhe këta udhëheqës të Luftës Çlirimtare të Kosovës nesër do t’i bashkohen familjes, do t’i bashkohen Kosovës, do t’i bashkohen vendit, do t’i bashkohen kombit”, është shprehur ai.
Duke folur për përvojën e tij në Tribunalin e Hagës, Jusufi ka kujtuar edhe arrestimin dhe transferimin e ish-presidentit të Serbisë, Slobodan Millosheviq, në qendrën e paraburgimit në Hagë.
“Ardhja e kryekasapit të Ballkanit, Millosheviqit, bartja e tij nga policia, zbritja nga helikopteri dhe futja e tij në qelinë e burgut, ka qenë një prej momenteve më interesante. Ai që bëri aq dhimbje, që bëri aq shumë tortura, që dogji tokën e Kosovës, ka qenë një emocion i papërshkrueshëm”, ka rrëfyer Jusufi.




