Në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, ku u shqyrtua Raporti Vjetor i Punës së Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për vitin 2025, para anëtarëve të komisionit raportuan përfaqësuesit e Bordit të ZRRE-së.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Driton Gojani, u pyet për këto çështje, ndërsa në përgjigjet e tij foli për tejkalimin e kostove të importit, mungesën e auditimit në terren të investimeve dhe planet e institucionit për monitorim më të madh të operatorëve.
Duke folur për tejkalimin e kostove të importit dhe ndikimin e tyre në tarifat e energjisë, Gojani tha se ndryshimet e çmimeve në tregun e importit janë arsyeja kryesore për këto tejkalime.
Sa i përket investimeve të KEDS-it dhe mungesës së auditimit në terren, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së pranoi se deri më tani nuk është realizuar një auditim i tillë, duke bërë të ditur se një tender i hapur për këtë qëllim kishte dështuar për shkak të çështjeve që lidhen me konfliktin e interesit.
“Te investimet e KEDS-it, ne jemi të vetëdijshëm në lidhje me auditimin, është e vërtetë që nuk ka pasur auditim më herët nga ana e KEDS-it edhe nga ana e ZRRE-së, në lidhje me investimet në rrjet, në rrjetin e distribucionit, por edhe ashtu në rrjetin e operatorit të sistemit të transmisionit. Mirëpo, arsyeja ZRRE ka pasur, më mirë me thënë, ka pasur shqyrtim të investimeve, mirëpo jo auditim në terren. Për këtë arsye është caktuar edhe si pjesë e shpenzimeve operative të ZRRE-së, është paraparë edhe auditimi, edhe pse është hapur domethënë tenderi në lidhje me, do të thotë, për me gjetur kompaninë e cila ka me u marrë me auditim. Tenderi i ZRRE-së për me audituar investimet në KEDS dhe në KOSTT. Mirëpo ai tender ka dështuar për shkak se ka pasur çështje të konfliktit të interesit, si dikush që është, ka qenë pjesë e tenderit, duket se ka qenë edhe pjesë më herët e njërës prej operatorëve dhe për atë arsye thjesht është ndërprerë. Ne tani, për vitin 2027 i kemi paraparë prapë që në kuadër të shpenzimeve operative thjesht auditimi i investimeve në operatorin e sistemit të shpërndarjes dhe operatorin e sistemit të transmetimit dhe do të bëjmë përpjekje që më në fund ta kemi një raport të auditimit dhe të auditohen investimet”, tha Gojani.
Ai foli edhe për kapacitetet e ZRRE-së dhe nevojën për shtimin e stafit, duke paralajmëruar mundësinë e krijimit të një departamenti të veçantë për monitorimin e operatorëve dhe investimeve në sektorin e energjisë.
“Po tjetër, unë mund me ju siguru që ne i kemi të paraparë diku afërsisht 41 staf në kuadër të ZRRE-së. Aktualisht jemi diku 25 dhe parashohim që në të ardhmen si pjesë, si një prej departamenteve me qenë edhe departamenti i monitorimit, edhe pse ajo mbetet pjesë e diskutimit me anëtarë të tjerë të bordit edhe të stafit. Do të thotë, në atë kuadër ne shpresojmë që të kemi edhe monitorimin e kodeve aktuale teknike edhe komerciale, monitorimi i standardeve të cilësisë, por edhe monitorimi i investimeve në të dy operatorët, KEDS dhe KOSTT”, tha Gojani./EO/