Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar një takim në Berlin me Ministrin e Shtetit për Evropën në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Gunther Krichbaum.
Në fokus të takimit ishte procesi i integrimit evropian të Kosovës, me theks të veçantë në marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit, Zulfaj theksoi se Kosova ka shënuar progres të konsiderueshëm demokratik dhe ekonomik gjatë dekadës së fundit, duke vlerësuar se ky progres duhet të reflektohet me hapa konkretë në procesin e zgjerimit të BE-së, mbi bazën e meritave.
Ai rikujtoi se, gati katër vjet pas dorëzimit të aplikimit për anëtarësim, Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka marrë statusin e vendit kandidat.
