Bashkimi Evropian në Kosovë dhe Shoqata Ukrainase e Kosovës – Urat e Miqësisë kanë shënuar 35-vjetorin e Pavarësisë së Ukrainës në Europe House në Prishtinë, katër vjet e gjysmë pas nisjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës.Në ngjarje morën pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, trupit diplomatik, mediave dhe shoqërisë civile.
Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, tha se ukrainasit, me guximin dhe qëndrueshmërinë e tyre, nuk po mbrojnë vetëm vendin e tyre, por edhe Evropën. Ajo theksoi se BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën politikisht, financiarisht, humanitarisht, ushtarakisht dhe diplomatikisht, përfshirë edhe në rrugën e saj drejt integrimit evropian.Palatova falënderoi Kosovën për solidaritetin me Ukrainën dhe për përafrimin me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.
Ajo inkurajoi Kosovën që ta rrisë këtë mbështetje, përfshirë në fushën e energjisë, ndërsa theksoi se BE-ja ka ofruar 3.7 miliardë euro ndihmë financiare për Kosovën që nga viti 1999 dhe se synimi është që si Kosova, ashtu edhe Ukraina, të zënë vendin e tyre në Bashkimin Evropian.




